Xhaka thotë se me përvojën që ka, do ta ndihmojë Leverkusenin të ketë sukses

| 07 Kor 2023 | 14:37 | Nga

Mesfushori Granit Xhaka ka theksuar se është shumë i lumtur dhe i nderuar që karrierën do ta vazhdojë te skuadra e Bayer Leverkusenit. Ai të enjten iu bashkua ekipit nga Bundesliga, me të cilin firmosi kontratë deri në verën e vitit 2028.

Xhaka te Leverkuseni u transferua nga Arsenali për 25 milionë euro, ndërsa në intervistën e parë si lojtar i ekipit gjerman ka thënë se synimi i tij është që të jetë i suksesshëm në këtë aventurë. 30-vjeçari pranoi se prej fillimit ka dashur t’i bashkohet Leverkusenit, ndonëse transferimi i tij u shty paksa për shkak të negociatave mes klubeve. Kalimin te Leverkuseni, Xhaka e ka quajtur një sfidë të madhe, ndërsa zbuloi edhe arsyet që e shtynë të jetë pjesë e kësaj skuadre.

“Pikë së pari jam i lumtur që jam këtu, më në fund. Në të vërtetë u nevojit një kohë e gjatë për të realizuar këtë transfer. Ka shumë arsye që i jam bashkuar Leverkusenit. Natyrisht, janë drejtuesit dhe pastaj trajneri, të cilët kanë bërë investim në mua. Është një sfidë e re për mua, sikurse edhe për familjen time. E njoh mirë Bundesligën dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu”, tha Xhaka, i cili insistoi se me përvojën e tij do të përpiqet ta ndihmojë Leverkusenin që të jetë i suksesshëm në edicionin 2023/24.

“Prej Arsenalit dhe Premier Leagues kam fituar shumë përvojë. Në futboll ka gjithmonë ulje dhe ngritje. Por, mëson prej tyre, bëhesh më i vjetër dhe fiton përvojë më të madhe. Dua ta shtyj përpara ekipin e Leverkusenit me përvojën time dhe shpresoj që do të jem i suksesshëm në këtë aspekt”.

Xhaka foli edhe për transferimin tjetër të Leverkusenit, sulmuesin e krahut, Jonas Hofmann. Edhe Hofmann sikurse Xhaka u prezantua te Leverkuseni të enjten. Hofmann dhe Xhaka kanë qenë bashkëlojtar te Borussia Moenchengladbachu, ndërsa tani do të jenë te Leverkuseni. Xhaka tha se për Leverkusenin nuk ka folur me portierin Bernd Leno, i cili ka luajtur më herët te Leverkuseni dhe ishte bashkëlojtar me të në Arsenal.

“Dua të jem i sinqertë. Me Bernd Lenon që e kisha bashkëlojtar tek Arsenali nuk kam folur fare për Leverkusenin, edhe pse ai ka qenë pjesë e këtij klubi më përpara. Natyrisht, kemi folur, por për gjëra të tjera për shkak se ishim bashkëlojtarë dhe luanim të dy për Arsenalin. Ribashkimi me Jonas Hofmannin këtu është gjë fantastike, pasi ai është një lojtar i mirë dhe transferim i rëndësishëm për klubin tonë. Pasi përfundova transferimin tim, dëgjova edhe për transferimin e tij, kështu që padyshim se do ta kontaktoj dhe do të flasim për planet dhe synimet me Leverkusenin”, shtoi Xhaka.

Sipas kapitenit të Zvicrës, përvoja që e ka krijuar gjatë këtyre viteve do të jetë shumë e rëndësishme për Leverkusenin në fushë. Madje kosovari beson se do të jetë i suksesshëm në edicionin e ardhshëm.

“Unë i sjelli përvojë të madhe Leverkusenit dhe kjo është e rëndësishme. Kam qenë katër vjet te Gladbachu dhe pastaj shtatë vjet të tjerë tek Arsenali. Jam ambicioz dhe i uritur për sukses, gjë që të gjithë e dinë pasi më njohin mirë. Kështu që mendoj se mund të kemi sukses në edicionin e ri më këtë ekip”, u shpreh Xhaka, i cili foli për cilësitë e tij në fushë.

“E di që përkufizohem si lider dhe luftëtar dhe mendoj se është e vështirë ta them se prej nga më vjen kjo. Por, natyrisht që mund ta mësosh me kalimin e kohës apo edhe të lindësh me këtë veti. Ka shumë punë prapa skenave dhe nuk mund të bëhesh i tillë brenda natës. Prej moshës 17-vjeçare jam i përfshirë në futbollin profesionist dhe për të arritur ku jam tani, kam punuar shumë për çdo ditë. Dhe jam shumë i kënaqur që gjithçka ka shkuar ashtu si kam menduar dhe që tani jam pjesë e Leverkusenit”.

Për mentalitetin e fortë që e ka krijuar, Xhaka të gjitha meritat ia atribuoj familjes, saktësisht babait, Ragipit.

“Sigurisht, që mentaliteti vjen nga familja ime dhe përfundimisht babai im ishte shumë i rëndësishëm në zhvillimin dhe rrugëtimin tim si futbollist. Ai më ka shtyrë shumë dhe më ka thënë që të mos dorëzohem kurrë. Gjithmonë ekzistojnë njerëz që thonë gjëra negative, por kjo është pjesë e botës së futbollit. Jam tejet krenar që jam pjesë e këtij klubi të madh dhe shpresoj që me paraqitje të mira në fushë të jem i suksesshëm”, u shpreh Xhaka.

Xhaka premtoi se do të jetë shumë i lidhur me tifozët e Leverkusenit, të cilëve u tha se synimi i ekipit në edicionin e ri do të jetë të marrë sa më shumë fitore.

“Përfundimisht jam krejt person tjetër jashtë fushës. Kam dëshirë të komunikoj shumë, të jem i hapur, i sinqertë dhe t’i ndihmoj njerëzit. Kjo është ajo që tifozët e Leverkusenit mund të presin prej meje. Tifozëve mund t’u garantoj se do të punoj fort çdo ditë dhe do ta ndihmoj ekipin në çdo aspekt me përvojën dhe ambiciet që kam. Shpresoj të fitojmë shumë ndeshje, sidomos në shtëpi, por edhe në udhëtim”, insistoi Xhaka.

Edhe te Leverkuseni, Xhaka do ta bartë fanellën me numrin 34, të cilën e ka pasur edhe te Baseli, Gladbachu e Arsenali.

“Numri 34 që e kam zgjedhur edhe këtu është shumë i veçantë për mua. Është numri i parë që e kam bartur dhe më ka sjellë fat kur fillova te Baseli. Pastaj këtë numër e kam marrë te Gladbachu e Arsenali. Tani mund ta bart edhe te Leverkuseni dhe jam shumë i lumtur për këtë. Është numri im me fat dhe ndihem shumë mirë me numrin 34 në shpinë”.

Të ngjashme