Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti thotë se si parti nuk e kanë ndërmend të ndërrojnë akronimin e partisë për zgjedhjet e 14 shkurtit, porse janë të hapur për ata që duan të bëjnë marrëveshje.
“PDK ka kushtet e veta kështu që deri tash nuk ka diçka zyrtare, ende nuk kemi zyrtarizu asgjë. S’kemi negociata e kemi një kusht që nuk e ndërrojmë akronimin e partisë, nëse dojnë marrëveshje bëjmë vetëm emra të përvetshëm të ndonjë partie eventuale që pranon kushtet tona”, ka thënë Haliti në një bisedë për IndeksOnline.
“T’i marrëveshje bon por ne nuk dalim me akronim tjetër, dalim vetëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), jo me i fut edhe partitë tjera në akronim, në emërtimin e koalicionit, vetëm me PDK. Në qoftëse pajtohemi, na bashkohen, në qoftëse nuk pajtohemi gjithkush në shtëpi të vet.”, ka shtuar tutje ai.
Haliti ka thënë se po punojnë maksimalisht që të dalin si parti e parë në këto zgjedhje, ku edhe do të konkurrojnë me program të pranueshëm para votuesve.
“Ne do të përbëjmë përpjekje maksimale që të dalim në vend të pare si parti, rezultatet janë çështje e votuesve, angazhimi dhe të konkurrojmë në një program të pranueshëm para elektoratit dhe të besueshëm”, theksoi Haliti.
Vlen të përmendim faktin se ditë më parë është përfolur për një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe Nismës së Fatmir Limajt.