Xhavit Haliti paraqitet në prokurori për rastin me Arben Gashin

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 13:50 | Nga

Debati i ashpër që u zhvillua ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, bëri që nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti të konfrontohet fizikisht me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashin, duke e shtyrë këtë të fundit.

Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore e Prishtinës tashmë ka intervistuar nënkryetarin Xhavit Haliti, derisa pritet edhe intervistimi i personit të tretë të përfshirë në zënkë, Gani Dreshajn.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.
“Pardje është intervistuar Xhavit Haliti për veprën ‘sulm’, derisa sot pasdite pritet të intervistohet edhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj për veprën ‘kanosje’”, ka thënë Beka.

Ndërkaq, në fund të muajit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka intervistuar deputetin e Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi.

Kujtojmë se para disa ditësh, Haliti dhe Gashi patën një debat të ashpër në Kuvend, i cili përfundoi edhe me përleshje fizike.

Derisa ky i fundit kërkonte fjalën për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Milaim Zeka për LDK-në dhe Ibrahim Rugovën, kryesuesi Xhavit Haliti, nuk ia ka dhënë fjalën duke i thënë se askush nuk ia ka përmendur emrin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme