Xhaxhai i Marigona Osmanit, Remzi Osmani, tha se nuk është i lumtur me aktgjykimin dënues me 15 vjetësh burgim kundër Arbër Sejdiut, i dënuar për ndihmë në vrasjen e mbesës së tij.
Osmani, pas përfundimit të seancës ku u shpall aktgjykimi dënues me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës, i është drejtuar Sejdiut me fjalët: “Shihemi pas 15 vitesh”, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të seancës, Osmani është shprehur i pakënaqur me një pjesë të aktgjykimit.
“Me Dardan Krivaqën jemi plotësisht të lumtur, me të dytin jo. Kuptohet 15 vite, 2 i ka mbajtë, 5 vite ia heqin, qysh funksionon këtu te na sistemi, por, e presim na. Ishalla kemi ymër edhe 15 vite e drejtojmë këtë situatë”, tha ai.
I pyetur se çfarë ka nënkuptuar me fjalët që ia drejtori Arbër Sejdiut në përfundimin e seancës, ai ka thënë: “Po, e kam bërë me ia uruar lirimin pas 15 vitesh”.
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqën dhe 15 vjet burgim Arbër Sejdiun, për vrasjen e Marigona Osmanit, raporton Ekonomia Online.
Sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqikei.
Viktima nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Para se të fillojë seanca gjyqësore, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar duke kërkuar ndëshkim maksimal për vrasësit e saj.
Përndryshe në seancën e fundit, Krivaqa shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur duke pohuar se do të donte ta kthente kohën pas.
LEXONI EDHE: