Xhemaj: Kamberi foli në emër të gjithë shqiptarëve, Ministritë e Jashtme në Kosovë dhe Shqipëri kanë dështuar për të denoncuar lindjen e një politike të re shoveniste në Serbi

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Drejtori për Komunikim në Partinë Demokratike të Kosovës, Bashmir Xhemaj, ka thënë se deputeti Shaip Kamberi nuk foli dje në Kuvendin e Serbisë vetëm në emrin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas tij, ai foli edhe në emrin e shqiptarëve në Ballkan, për boshnjakët dhe malazezët. “Ai ua përplasi në sy pushtetarëve të korruptuar serbë të vërtetën e hidhur që, në Kuvendin prej 250 deputetëve, vetëm 6 deputetë janë opozitë, edhe ata nga pakicat kombëtare në Serbi. Ai denoncoi politikën shoveniste të Millosheviqit, që po vazhdon me mjete të tjera nga fëmijët ideologjik të tij, Vuçiq e Daçiq.”,ka thënë Xhemaj.

Më tej, ai ka kritikuar edhe Ministrië e Jashtme në Kosovë dhe Shqipëri, siç ka thënë ai, që deri tani kanë dështuar deri tani për të denoncuar çdo ditë hegjemoninë e re politike, ushtarake e jo demokratike që po lindë në Ballkan.

Lexoni statusin e plotë të Bashmir Xhemajt:

Deputeti Shaip Kamberi nuk foli dje në Kuvendin e Serbisë vetëm në emrin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai foli edhe në emrin e shqiptarëve në Ballkan, për boshnjakët dhe malazezët. Ai ua përplasi në sy pushtetarëve të korruptuar serbë të vërtetën e hidhur që, në Kuvendin prej 250 deputetëve, vetëm 6 deputetë janë opozitë, edhe ata nga pakicat kombëtare në Serbi. Ai denoncoi politikën shoveniste të Millosheviqit, që po vazhdon me mjete të tjera nga fëmijët ideologjik të tij, Vuçiq e Daçiq.

Fjalimi i Shaip Kamberit duhet të alarmojë edhe Perëndimin, që symbyllazi po e shndërrojnë Serbinë në Bjellorusinë e ardhshme. Madje, siç e tha me të drejtë deputeti Kamberi, “të paktën atje ka opozitë në rrugë, kurse në Serbi ka vdekur opozita politike, media e lirë dhe shoqëria civile”. Një Serbi jo demokratike, do të jetë edhe më e rrezikshme se ajo e Millosheviqit në të ardhmen e afërt. E shqiptarët janë të parët që do ta vuajnë.

Në veçanti, fjalimi i tij monumental duhet ta zgjojë nga gjumi Kosovën e Shqipërinë, për t’i koordinuar e aranzhuar veprimet e përbashkëta në politikën e jashtme. Jo rrallë herë kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve ku Prishtina e kundërshton tregun rajonal, e Tirana avokon për të. Apo, kur Prishtina e refuzon mini-shengenin e Tirana lobon për të. Shqiptarët ndalen e burgosen çdo ditë që kanë zgjedhur të udhëtojnë nëpër Serbi, e qeveritë tona heshtin e mjaftohen vetëm me deklarata. Ministritë e Jashtme në Kosovë dhe Shqipëri kanë dështuar deri tani për të denoncuar çdo ditë hegjemoninë e re politike, ushtarake e jo demokratike që po lindë në Ballkan.





Të ngjashme