Në vendin ku shënoi sukses të dyfishtë vitin e kaluar, ekipi i Kosovës në xhudo e hap 2019-n me shpresë dhe synim për një vit tjetër me rezultate kulmore.
Në prill, Nora Gjakova fitoi medalje të artë, ndërsa Distria Krasniqi medalje të argjendtë në kampionatin evropian të mbajtur në Tel-Aviv.
Në Tel-Aviv mbahet gara e parë e turit botëror të xhudos për vitin 2019. Prej të enjtes deri të shtunën mbahet gara Grand Prix, në të cilën Kosova merr pjesë me tri xhudiste.
Kampionet olimpike: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Loriana Kuka do të kërkojnë medalje për Kosovën në Tel-Aviv.
Distria garon në kategorinë deri 48 kilogramë, Majlinda në atë deri 52 kilogramë, kurse Loriana në kategorinë deri 78 kilogramë.
Nora e Akil Gjakova pushojnë në këtë garë për shkak të ngarkesës së madhe që patën vitin e kaluar.
Mbi 400 xhudistë nga 54 vende pritet të garojnë në qytetin izraelit.
Sportistja më e mirë në vend, Majlinda Kelmendi do të shfrytëzojë këtë garë për të bërë edhe një hap drejt kthimit të suksesshëm në tatami.
Ajo ishte jashtë garave prej gushtit të vitit 2017 deri në fund të tetorit të vitit 2018 për shkak të një lëndimi dhe operimi të gjurit.
Është kthyer me sukses duke fituar medalje të argjendtë në Grand Slam në Abu Dhabi dhe të artë në Grand Prix në Tashkent.
Në Grand Slam të Abu Dhabit lufta finale e Majlindës u vendos nga mjekët për shkak të gjakrrjedhjes së madhe që kishte ajo nga hunda.
Në dhjetor, Majlinda kishte paraqitje të suksesshme edhe për skuadrën turke Galatasaray.