Asnjë xhudist nga Kosova nuk do të marrë pjesë në turneun Grand Prix të Zagrebit.
Trajneri Driton Kuka ka vendosur që të mos i dërgojë garuesit, ndonëse ishte paralajmëruar pjesëmarrja, për t’i kursyer nga lodhja, meqë për më pak se një muaj nis Kampionati Botëror në Tokio. E sipas Kukës, fokusi i tij është që garuesit nga Kosova të përgatiten sa më mirë për këtë ngjarje, ku pret paraqitje të mira, natyrisht edhe medalje.
Kuka të premten për gazetën ka thënë se garuesit e tij kanë pasur gara të mjaftueshme gjatë këtij viti. Botërori në Tokio nis muajin e ardhshëm, më 25, dhe përfundon më 1 shtator.
Sipas Kukës, paraqitja e xhudistëve në lojërat evropiane “Minsk 2019” ua ka vënë kapakun të gjitha garave të këtij viti. Në këtë ngjarje, tre prej katër xhudistëve u kthyen me medalje. Majlinda Kelmendi doli e artë, Nora Gjakova e argjendtë, kurse Loriana Kuka e bronztë.