Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar bisedë telefonike në të cilën kanë diskutuar në lidhje me Korenë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmi për bisedën telefonike mes Xi dhe Trump është bërë i ditur nga Televizioni Qendror Kinez (CCTV).
Gjatë bisedës telefonike, Xi ka potencuar se janë kundër çdo akti që është në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së), duke u bërë thirrje palëve të përmbahen dhe të qëndrojnë larg nga çdo veprim që mund të ngrisë tensionet në rajon.
Presidenti kinez është shprehur se palët mund të zgjidhin problemin bërthamor të Koresë së Veriut nëse bashkëveprojnë duke marrë përsipër vetëm përgjegjësinë që u takon dhe se në këtë mënyrë Gadishulli Korean mund të pastrohet nga armatimi bërthamor.
Xi ka theksuar se janë të gatshëm të japin çdo përpjekje për paqen në gadishull, Azinë verilindore dhe botë, duke bashkëpunuar me të gjitha palët në lidhje me këtë çështje, përfshirë edhe administratën e Washingtonit.
Sipas lajmit të CCTV-së, Xi dhe Trump kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut të afërt dhe vlerësimin e shpejtë të çështjeve aktuale për të cilat palët kanë interes të përbashkët.