Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) mbajti aksionin rrugor “Dera e Pritjes”, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast, u theksua se institucionet tona duhet ta njohin urgjencën e trajtimit të çështjes së të zhdukurve si një komponentë themelore në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.
Visar Kukaqi, aktivist i kësaj organizate joqeveritare tha se edhe në këtë përvjetor të shënimit të ditës së të zhdukurve, fati i 1616 personave është në errësirë, andaj janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, për të ndjerë peshën e këtyre personave të zhdukur me dhunë.
“Fati i 1616 i personave të zhdukur është në errësirë. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë, jemi mbledhur këtu në Sheshin ‘Skënderbeu’ për të ndjerë peshën e 1616 të zhdukurve me dhunë. Sot është një ditë solidarizimi po aq sa është një ditë e cila thërret për kritikë, llogaridhënie dhe veprim të menjëhershëm”, tha Kukaqi.
Ai shpjegoi simbolikën e derës së zezë, e cila ishte vendosur në sheshin jo larg ndërtesës së Qeverisë.
“Pranë meje është një derë e zezë, një derë që simbolizon agoni, trishtim dhe pikëllim, një derë që mishëron pritjen e stërzgjatur të të zhdukurve me dhunë. 1616 të zhdukur që 24 vite, kjo është dera e pritjes që sot e kemi këtu në shesh, për çdo ditë gjendet rreth e rreth Kosovës, në shtëpi të familjarëve të të zhdukurve të cilët ende nuk kanë qetësi të shpirtit e pushim të mendjes, të cilët janë dëshmitarë të një zhgënjimi epokal nga institucionet tona që kanë dështuar të bëjnë punën e tyre plot 1616 herë, për plot 24 vite të gjata”.
Kukaqi në fjalimin e tij, në këtë aksion rrugor të YIHR-së, tha se nuk mund të mendojnë për të ardhmen e zhvillimin e Kosovës, e as për demokracinë e bashkëjetesën kolektive, ndër të tjera shërimin kolektiv pa ballafaqimin me të kaluarën. E kjo e kaluar, sipas Kukaqit është e errët siç është dera e përdorur në këtë aksion rrugor. Ai tutje vazhdoi thënë se kërkojnë nga institucionet përkatëse që të kenë prioritet zbulimin e së vërtetës, në mënyrë që të mund t’i shprehin ngushëllime familjeve dhe që të sigurohet përgjegjësia për autorët e krimit.
“Nuk mund të mendojmë për të ardhmen për zhvillimin e Kosovës, për demokracinë, për paqen, për bashkëjetesën kolektive, për shërimin kolektiv, pa ballafaqimin e mirëfilltë me të kaluarën. E kaluara jonë është e errët ashtu si dera e pritjes, imazhi dhe përjetimet e të kaluarës janë një tmerr në terr, të mbuluara me zhargon politik e sipërfaqësor, të humbura në mosveprim efikas dhe zhgënjim institucional, nuk duhet të kemi nevojë t’i kujtojmë institucionet tona se zbardhja e fatit të të zhdukurve nuk pret as 24 sekonda e le më 24 vite, mirëpo realiteti tregon ndryshe dhe prandaj jemi këtu, në këtë aksion në rrugë, që të bëjmë thirrje me vendosmëri institucionet tona që të njohin urgjencën e trajtimit të kësaj çështje si një komponentë themelore të procesit të ballafaqimit me të kaluarën, ne i kërkojmë atyre që të kenë prioritete zbulimin e së vërtetës, t’u japin ngushëllim familjeve të tyre dhe të sigurojnë përgjegjësi për autorët e krimit”, tha Visar Kukaqi, aktivist në YIHR.