Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Integra, Humanitarian Law Center Kosovo (HLC) dhe Forum ZFD shënojnë Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se më 27 prill, në ora 20:00 do të shënohet një aksion simbolik për Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, duke ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta.
“Me 2 minuta errësirë në familjet tona, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende të pagjetur për tash e 20 vjet”, thuhet në komunikatë.
Në solidarizimin për fatin e të të pagjeturve, Biblioteka Kombëtare e Kosovës i bashkohet iniciativës, me shpresë dhe besim për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje.