Aktorja australiane, Ruby Rose, kishte braktisur rolin e saj të superheroinës “Batwoman” pas vetëm një episodi. Ajo ka thënë se ishte vendim i vështirë që të mos kthehet në serinë, e cila është transmetuar në Britani të Madhe.
“Batwoman”, që nisi të transmetohej në rrjetin CW gjatë vitit të kaluar, ishte seria e parë me superheronj që në rol kryesor e kishte një aktor që i përkiste komunitetit LGBTQ.
Producentët e serisë kanë thënë se janë fort të angazhuar për të ardhmen e serisë dhe se do të gjejnë dikë tjetër për rolin e “Batwoman”. Përsëri duan dikë të komunitetit LGBTQ.
Aktorja Rose ka thënë se i është mirënjohëse gjithsecilit që e ka bërë të suksesshëm sezonin e parë të serisë. 34-vjeçarja ka shtuar se ka respekt për krejt anëtarët e ekipit dhe se vendimi për t’u larguar nga roli kryesor nuk ishte aspak i lehtë.
Me t’u mësuar emri i saj për rolin e “Batwoman” kritikat ishin të mëdha, me ç’rast shikuesit dëshironin rolin për një aktore lesbike.
Rose që e quajti veten si person pa gjini të caktuar nëpër intervista, më vonë fshiu profilin e saj në Twitter, ndërsa mbeti aktive në Instagram. Vitin e kaluar ka bërë të ditur se pësoi një lëndim teksa po xhironte serinë. Shkaku i këtij lëndimi, u detyrua të bënte një operacion të menjëhershëm. Aktorja deklaroi se kishte thyer disa kocka gjatë xhirimeve, por revista “Deadline” pati raportuar se lëndimi nuk ishte arsye e largimit të saj.
E lindur në Melbourne në vitin 1986, Rose luajti rolin e Stella Carlinit në filmin “Orange is the New Black”, ndërsa pati role edhe në filmat “Pitch Perfect 3” dhe “The Meg”. Mirëpo, nuk është ylli i vetëm që ka braktisur një film apo seri të famshme.
Modeli në rolin e agjentit
George Lazenby papritur ishte larguar nga roli i James Bondit, kur ishte paraqitur vetëm një herë në rolin e agjentit të famshëm britanik.
Modeli i shndërruar në aktor më vonë kishte pranuar se menaxheri i atëhershëm, Ronan O’Rahilly, ia kishte mbushur mendjen që të kërkonte mundësi më të mira.
“Mendova se e dinte se çfarë po fliste, prandaj e dëgjova”, kishte thënë aktori australian para një audience, gjatë vitit të kaluar.
Pjesa e vetme e Lazenby në rolin e Bondit ishte në filmin “On Her Majesty’s Secret Service”. Filmi i publikuar në vitin 1969 është një prej pjesëve më të mira të serisë së agjentit 007.
Eccleston si “Doctor Who”
Christopher Eccleston ishte zgjedhur për rolin e Doktorit, kur seria “Doctor Who” u ripërpunua në vitin 2005. Ai braktisi rolin pas vetëm një pjese.
Aktori, i cili ishte zëvendësuar nga David Tennanti, kishte thënë më vonë se nuk i pëlqeu ambienti dhe kultura e serisë.
“Lidhja ime me tre udhëheqësit e serisë u thye në fillim të pjesës së parë të filmimeve dhe kurrë më nuk u përmirësua më”, pati thënë Eccleston gjatë 2018-s. Aktori së fundmi është parë në emisionin “The A Word”. Në këtë emision ai ka thënë se doli jashtë zonës së tij të rehatisë, kur mori përsipër rolin e heroit që kthehet në kohë.
Nortoni në rolin e Hulkut
Edward Norton pranoi rolin e Bruse Bannerit në filmin e vitit 2008 “The Incredible Hulk”. Ai më nuk e përsëriti rolin në trilogjinë e filmave të studios filmike “Marvel”.
Kryetari i studios, Kevin Feige, kishte deklaruar se është në kërkim të një aktori të ri për rolin dhe që i duhej një person që shfaq frymën kreative dhe bashkëpunuese të ekipit të filmit. Këtë deklaratë të Feiget e kishte komentuar aktori Norton. E kishte cilësuar si shumë të ulët dhe se largimi i tij ishte si rezultat i qëndrimeve të ndryshme për mënyrën e paraqitjes së personazhit të Hulkut.
“E dija se nuk ishin seriozë për një periudhë më afatgjate”, ka thënë Norton që u zëvendësua nga aktori Mark Ruffalo. Ky i fundit debutoi me sukses në kthimin e Hulkut në trilogjinë e filmave “Avengers”, gjatë vitit 2012.
Howard në Iron Man
Terrence Howard, që luajti rolin e James “Rhodey” Rhodesit në filmin “Iron Man” gjatë vitit 2008, është një tjetër aktor që u zëvendësua në serinë e filmave me superheronj të “Marvelit”.
Më vonë ishte arsyetuar se u pagua më pak sesa i ishte premtuar. Që prej braktisjes së rolit, aktori Don Cheadle e ka luajtur rolin e kolegut të “Iron Manit”.
Suksesi i papritur i aktores Gless
Sharon Gless për shtatë vjet luajti rolin e Christine Cagneyit në serinë “Cagney and Lacey”.
Ky rol ia mundësoi asaj dy çmime herë “Primetime Emmys” dhe një “Golden Globe”. Mirëpo, ajo nuk ishte aktorja e parë që luajti rol në serinë televizive për dy detektivet që zgjidhin krimet në New York.
Loretta Swit luajti rolin e Cagneyt në filmin origjinal, por nuk vazhdoi kur studioja vendosi që filmin ta shndërronte në seri. Meg Foster ishte zgjedhur për rolin kryesor në seri, por u zëvendësua pas gjashtë episodeve. Televizioni CBS donte dikë më femërore në rol.
Gless në vitin 2012 e kishte falënderuar kolegen, Tyne Daly, që e kishte mirëpritur si askush tjetër.
“E di se zemra i ishte lënduar, sepse i pëlqeu aktorja e fundit në rolin e Cagneyt”, kishte thënë Gless.
Largimi i Enfieldit nga seria
Kur nisi xhirimi i serisë “Men Behaving Badly” në vitin 1992, dy rolet kryesore luheshin nga Martin Clunes dhe Harry Enfield. Sipas Clunes, seria që prodhoi “ITV” nuk përmbushi pritshmëritë e Enfieldit.
“Vizioni i tij ishte seria të mos dukej si krejt të tjerat. Pastaj e përpiluam një tjetër plan dhe e befasuam edhe më”, kishte thënë Clunes. “Vërehej se Harry donte largimin. Ama kishte kontratë dhe duhej ta realizonte një pjesë të serisë”, ka kujtuar aktori.
Neil Morrissey ishte përzgjedhur në rolin që e braktisi Enfieldi.
Fosteri në Hannibal
Jodie Foster siguroi çmimin e dytë “Oscar” për rolin e Clarice Starling në filmin “The Silence of the Lambs”.
Kur i erdhi oferta që ta përsëriste rolin në filmin “Hannibal”, e refuzoi këtë mundësi, duke i hapur rrugë aktores Julianne Moore që të luante përkrah aktorit legjendar Anthony Hopkins në filmin tjetër të regjisorit Ridley Scott.
“Doli se do të fitoja më shumë para me atë film sesa gjatë krejt karrierës sime. Por kush brengoset nëse filmi tradhton Claricen”, kishte thënë aktorja në vitin 1999.
Në vitin 2005 ishte arsyetuar se refuzimi i rolit ishte bërë shkaku i angazhimit në një film tjetër. Sidoqoftë, pas 12 vjetësh, më 2017, Fosteri përsëriti rolin e agjentes së FBI-së në skeçin satirik në emisionin e mbrëmjes të Stephen Colbert.