Në Mitrovicë ka përfunduar një ndër takimet më interesante viteve të fundit në basketbollin kosovar. Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 64-70 dhe me ç’rast shpallet kampion për të dytin vit me radhë.
Qytetarët e Suharekës nuk po mund të pushojnë pasi ditë më parë festuan titullin kampion të Ballkanit, ata sonte do të fillojnë festën edhe të skuadrës së basketbollit.
Një super sfidë u zhvillua sonte në palestrën ‘Minatori’, ku deri në sekondat e fundit nuk dihej fituesi i takimit.
Suharekasit e filluan më mirë takimin, por mitrovicasit arritën të rikthehen dhe ta ngushtojnë epërsinë në çerekun e parë në vetëm katër (4) pikë, ku në fund përfundoi 18-22.
Ndërsa, në çerekun e dytë mitrovicasit arritën të triumfojnë 17-16, por nuk ishte e mjaftueshme për të shkuar në pushim me avantazh. Edhe në çerekun e tretë vendasit triumfuan 16-13, por në çerekun e katërt Ylli tregoi paraqitje të mrekullueshme dhe triumfoi 13-19.
Vlen të theksohet se në palestrën ‘Minatori’ në Mitrovicë ishte një atmosferë brilante nga të dyja tifozëritë, si nga ‘Torcida’ ashtu edhe nga ‘Xhebrailat’.
Për Yllin kjo është edhe hera e dytë në histori të klubit që arrijnë të shpallen kampion në basketbollin kosovar.