Ylli i Aston Villas do t’i kryejë sot testet mjekësore te Juventusi

Prishtinë | 27 Qer 2024 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Aston Villas, Douglas Luiz do t’i nënshtrohet sot testeve mjekësore me Juventusin, raportojnë mediat italiane.

Sipas Romeo Agresti, gazetar italian, Douglas Luiz gjatë ditës së sotme do t’i kryejë testet mjekësore me klubin italian.

Mesfushori brazilian do t’i nënshtrohet testeve mjekësore në ShBA, para se të kompletojë një marrëveshje transferimi, që përfshin edhe Samuel Iling-Junior dhe Enzo Barrenchea.

Por, kjo nuk do të jetë e vetmja, pasi “Zonja e Vjetër” do të paguajë edhe 25 milionë euro tjera, përveç lojtarëve.

Iling-Junio, një produkt i akademisë së Chelseat, tashmë veçse i ka kryer testet mjekësore me Aston Villan, derisa njëjtë ka vepruar edhe mesfushori argjentinas, Barrenechea.

Douglas Luiz është aktualisht në ShBA me ekipin e tij kombëtar, Brazilin, që po merr pjesë në “Copa America”.

Raportimet në Itali thonë se edhe e dashura e Douglas Luizit do të kalojë në Turin nga Aston Villa dhe do t’i bashkohet ekipit të femrave të Juventusit.

Luiz arriti numra dyshifror të golave dhe asisteve, duke shënuar 10 gola dhe duke kontribuuar me 10 asistime në 53 paraqitje në të gjitha garat me Aston Villan sezonin e kaluar.

Të ngjashme