Sulmuesi anësor i Atletico Madridit, Yannick Carrasco, beson se do të jetë e çuditshme të luajë në stadiume boshe kur të rinisë sezoni i La Ligës së shpejti, pas pauzës shkaku i koronavirusit.
Pasi u suspendua në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, La Liga do ta rinisë sezonin 2019/20 më 11 qershor. Ndeshja e parë që do të zhvillohet derbi mes Sevillës dhe Real Betisit, transmeton Gazeta Express.
Atletico Madridi i Diego Simeones, që radhitet në pozitën e gjashtë në tabelën e La Ligës dhe është një pikë larg vendeve kualifikuese për Ligën e Kampionëve, do të udhëtojë për përballjen kundër Athletic Bilbaos më 14 qershor.
“Është pak e çuditshme të zhvillohen ndeshje prapa dyerve të mbyllura, por ne jemi profesionistë dhe do t’i bëjmë gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu që tifozët të mundë ta shohin sportin e bukur në televizion”, ka thënë Carrasco, i cili është i huazuar në Atletico nga klubi kinez Dalian Professional.
Atletico nuk ka zhvilluar ndeshje që kur e eliminoi kampionin në fuqi të Ligës së Kampionëve, Liverpooli, nga ky turne në fazën e 1/8 të finales.
Para se sezoni 2019/20, djemtë e Simeones i kishin barazuar dy ndeshjet e fundit të La Ligës, ndërsa tani shpresojnë t’u kthehen ndeshjeve me rezultate më pozitive.