Mesfushori i Juventusit, Rodrigo Bentancur, beson se Juventusi ende ka mundësi ta fitojë titullin në Serie A, megjithëse ngel plot 12 pikë mbrapa liderit dhe rivalit, Inter, tetë ndeshje deri në fund të kampionatit.
Bardhezinjtë i fituan tri pikë të rëndësishme me një fitore 3:1 kundër Genoans të dielën, por mesfushori uruguaian e pranoi se niveli i lojës së ekipit ra në pjesën e dytë, transmeton Gazeta Express.
Juventusi ngel në pozitën e tretë tani me 62 pikë, vetëm një më pak se Milani dhe 12 më pak se lideri Inter.
Atalanta e ndjek nga pas me 61 pikë, ndërkohë që Napoli është e pesti me 59 pikë në një garë të ashpër top katërshe.
“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme kundër Atalantës, sfidë e vështirë. Atalanta dëshiron të kualifikohet në Ligën e Kampionëve”, tha Bentancur.
“Ne duhet të vazhdojmë ta fitojmë çdo ndeshje në mënyrë që ta arrijmë maksimumin në fund të sezonit… në çdo rast, edhe për titull, edhe në qoftë se është larg me pikë, matematikisht është i arritshëm për ne”, shtoi ai.