Ylli i Kombëtares së Kosovës pranë kalimit në Galatasaray

Prishtinë | 02 Jan 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Galatasaray është duke e vëzhguar mesfushorin e Kosovës, Idriz Vocën, dhe pritet t’i bëjë ofertë zyrtare Luzernit për transferimin e tij në këtë afat kalimtar të futbollistëve.

Voca mund t’i bashkohet shokut nga Kombëtarja e Kosovës, Vedat Muriqit – në Superligën e Turqisë – i cili luan për klubin rival të Galatasarayt, Fenerbahce, raporton Gazeta Express.

Galatasaray, njëri prej klubeve më të vjetra dhe më të suksesshme turke, është duke punuar për ndryshime rrënjësore në skuadër dhe synimi i tij për ta arritur këtë është të sjellë lojtarë të rinj.

Mesfushori kosovar i Luzernit Voca – i cili është vetëm 22 vjeç – është synim parësor i klubit turk për t’i përmbushur qëllimet.

Voca ka kontratë me Luzernin deri në qershor të vitit 2021, prandaj klubi zviceran do të kërkojë të përfitojë nga shitja e tij këtë sezon, në mënyrë që të mos e humbasë kosovarin pa asnjë qindarkë verën e vitit të ardhshëm.

Mesfushori i lindur në Stans të Zvicrës i ka bërë 23 paraqitje në të gjitha garat për Luzernin këtë sezon, duke e realizuar një gol.


Të ngjashme