Rahoveci dhe Peja ende nuk e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Ligën Unike të basketbollit, ndonëse e kanë të drejtën e paraqitjes në ligën e top-skuadrave nga Kosova e Shqipëria. Në këto dy klube nuk e garantojnë pjesëmarrjen për shkak të situatës së vështirë si pasojë e pandemisë.
Liga Unike pritet të fillojë në fund të muajit të ardhshëm, derisa shorti do të tërhiqet javën tjetër, shkruan KOHA.
Për Rahovecin dhe Pejën nuk dihet nëse do të jenë gati në përgjithësi për edicionin e ri. Këtë problem nuk e kanë Golden Eagle Ylli e Prishtina, dy skuadrat e tjera nga Kosova të nominuara për pjesëmarrje në Ligën Unike.
Marrëveshja për Ligën Unike, që u quajt historike, u firmos të enjten mbrëma në Tiranë ndërmjet dy federatave dhe u vlerësua lart nga të gjithë të pranishmit. Kjo marrëveshje është katërvjeçare kurse krahas katër ekipeve të Kosovës do të paraqiten edhe katër ekipe nga Shqipëria.
Te Rahoveci gjërat janë pezull. Klubi është pa kryesi për disa javë, derisa te Peja po përballen me probleme financiare.
Po bëhen gati tri javë qëkur kryesia e mëparshme e Rahovecit u largua nga klubi, me arsyetimin se Komuna nuk ua kishte dhënë mjetet e premtuara shumë kohë më parë. Ish-kryetari i Rahovecit, Alban Rama, ka thënë se në klub momentalisht nuk është askush dhe nëse së shpejti nuk mbahet kuvendi zgjedhor për t’u emëruar kryesia e re, atëherë klubi vështirë se mund të jetë i gatshëm për sezonin e ri.
“Derisa të mbahet kuvendi dhe të zgjedhën organet e reja, klubi është pa kryesi. Pra askush nuk është në klub. Deri më tash nuk po duket që dikush ka shprehur interesim për të marrë ekipin dhe nëse nuk bëhet diçka deri javën tjetër, do të jetë shumë vështirë. Po bëhen gati tri javë që klubi është pa kryesi dhe gjërat janë tërësisht në ajër, pasi nuk ka asnjë lëvizje”, është shprehur Rama.
“Ne ishim përgatitur për 2-3 muaj dhe pothuajse ekipi ishte gati për sezonin e ri, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia. Por komuna nuk e mbajti premtimin pavarësisht se kemi dhënë gjithçka nga vetja për ta ngritur ekipin”.
Rahoveci në vitet e fundit ishte prej klubeve kryesore në vend. Ky klub shfrytëzoi rënien e Pejës dhe Trepçës dhe u përfshi në garë për trofe. Rahoveci ka pasur përkrahje të madhe të tifozëve dhe është shquar edhe për organizim. Ishte vlerësuar risi e basketbollit kosovar në një periudhë jo shumë të lehtë.