Akeem Bloomfield që po konsiderohet sprinteri i së ardhmes, pasi vrapoi garën e 200 metrave nën 20 sekonda për të triumfuar në Diamond League të Londrës, ka kërkuar të mos krahasohet me Usain Boltin.
Bloomfield që gjithashtu është nga Xhamajka dëshiron që të mos shihet prej të tjerëve si pasardhës i Boltit, që tashmë është larguar nga atletika për të tentuar karrierën në futboll, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
20-vjeçari, që para dy javëve triumfoi edhe në garën e 400 metrave të mbajtur në Rabat, të dielën në Londër ishte i papërmbajtshëm. Ai garën e përfundoi me 19.81 sekonda, duke thyer rekordin personal prej 20 sekondave.
Alonso Edward nga Panamaja doli i dyti më 20.01 sekonda, i përcjellë nga Alex Quinonez i Ekuadorit (20.13 sekonda). Favoritët britanikë, Nethaneel Mitchell-Blake dhe Adam Gemili, nuk përmbushën pritshmëritë e publikut vendas.
“Jam shumë i lumtur për shkak se kam regjistruar një kohë fenomenale dhe besoj se me kalimin e kohës do të përmirësohem edhe më shumë. Synoj që ky të jetë edicioni im”, është shprehur Bloomfield.
Kur është pyetur në lidhje me krahasimet që po i bëjnë me Boltin, Bloomfield ka qeshur me të madhe. Ai ka insistuar se askush nuk mund të krahasohet me legjendën e gjallë të atletikës. Bolt është rekordmen në 100 metra me kohë prej 9.58 sekonda dhe 200 metra (19.19).
Gjithashtu, është rekordmen edhe në vrapimin 4×100 metra. Bolt në të tri këto disiplina ka fituar medalje të arta në tri olimpiadat e fundit – 2008, 2012, 2016.