Ylli rumun pret fitore ndaj Kosovës, shpreson që mos të ketë incidente

Prishtinë | 12 Nën 2024 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i kombëtares së Rumanisë Razvan Marin, ka folur para mediave për ndeshjen ndaj Kosovës, që do të luhet në Bukuresht të premten më 15 nëntor me fillim nga ora 20:45.

Marin tha se pret fitore, por ai theksoi se shpreson që gjatë ndeshjes të mos ketë ndonjë incident, ashtu siç ndodhi në shtator të 2023-tës ku ishte shfaqur baneri me mesazhin “Kosova është Serbi”.

Rumunët kanë një epërsi kapitale ndaj “Dardanëve” nga ndeshja e kaluar në Prishtinë, ku në “Fadil Vokrri” kishin fituar me rezultat 0:3.

“Të premten me Kosovën shpresojmë të jenë 50 mijë tifozë. Na vjen mirë që janë me ne, shpresoj t’i kënaqim me një rezultat pozitiv në fund, shpresoj të mos ketë probleme dhe të luajmë në fushë”, tha fillimisht Marin.

“Tashmë janë ndarë mesazhe të caktuara që të jemi të qetë dhe të mos ketë probleme. Me siguri që edhe tifozët tanë do të fishkëllojnë himnin e tyre, ne ende shpresojmë që nuk do ta bëjnë, por do të shohim”, theksoi ai para mediave.

Derisa trajneri i Kosovës Franco Foda, u shpreh dje gjatë një konference për media se është optimist për fitore.

Kosovës i nevojitet një fitore prej tre golash të premtën për ta rrëmbyer pozitën e parë në grup.

Të ngjashme