Të martën në mbrëmje është bërë e ditur se filmi “Zgjoi” i regjisores shqiptare, Blerta Basholli, është zgjedhur të konkurrojë në festivalin prestigjioz të filmit ‘Sundance Film Festival 2021’.
Ky festival është një nga festivalet më të mëdha në botë që seleksionon filma nga vende të ndryshme, dhe shpërblen më pas me çmimet filmat më të suksesshëm.
Filmi i cili trajton një ngjarje të vërtetë të pas-luftës, ka në rolin e tij kryesor aktoren Yllka Gashi.
Aktorja e cila jeton dhe vepron në ShBA, është shprehur e lumtur për suksesin e “Zgjoi” me pranimin në këtë festival të rangut botëror.
Ajo përmes një statusi të shkruar në rrjetin social Facebook, ka cekur se Kosova ka shumë histori që e gjitha bota duhet ta dëgjojë, dhe arti është rasti më i mirë për ta bërë këtë.
Shkrimi i saj i plotë:
“Jam jashtezakonisht e lumtur dhe krenare qe filmi yne “Zgjoi” i punuar me shume dashuri, perkushtim, sakrifice e finese po fillon rrugetimin e tij ne njerin nder festivalet me prestigjioze ne bote ne Sundance Film Festival ne SHBA!
Edhe me shume me gezon fakti qe filmi shtjellon nje copez jete te nje gruaje heroine e cila gjate luftes se ‘99-tes e humb burrin e saj dhe perkunder te gjitha veshtiresive e rrethanave te renda me te cilat perballet, ajo suksesshem e nderton biznesin e saj per t’i ndihmuar komunitetit te grave te veja.
Ky lajm e sukses nuk na takon vetem neve qe kemi pasur fatin te punojme ne kete film por eshte hap shume domethenes edhe per industrine e filmit ne Kosove dhe per vendin tone.
Kosova ka shume tregime te pa rrefyera qe bota duhet t’i degjoje. Jam e lumtur qe permes ketij filmi ne do te kemi mundesine ta tregojme nje nga to.
Filmi eshte i bazuar ne ngjarje te verteta nen finesen e skenarit dhe regjise se Blerta Bashollit, i xhiruar me mjeshtrine e kameramanit Alex Bloom dhe prodhuar nga Ikone Studio me producent Yll Uka, Valon Bajgora e Agon Uka.
Na prifte fati e sukseset!