Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pas mbledhjes që zgjati më shumë se 6 orë të Kryesisë së kësaj partie, ka folur para gazetarëve.
Ai ka mohuar raportimet në disa medie se pas dorëheqjes së Aida Dërgutit nga funksionet e larta në Vetëvendosje, dorëheqje kanë ofruar edhe zyrtarë të tjerë.
“E pranuam dorëheqjen e Aida Dërgutit nga Kryesia dhe strukturat në Vushtrri. Nuk ka tjera dorëheqje të tjera, përkundër spekulimeve në disa medie”, tha Ymeri, raporton Ekonomia Online.
Më herët portali “Periskopi”, i njohur për burimet e mira brenda Vetëvendosjes, raportoi se Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu kanë ofruar dorëheqje nga Kryesia pas ngjarjeve të fundit.
“Diskutuam për zhvillimet në rrjetet sociale dhe Kryesia e dënon gjuhën e përdorur karshi fytyrave të Vetëvendosjes. Kërkojmë nga aktivistët që ta ndalin përdorimin e kësaj gjuhe”, ka thënë Ymeri, para gazetarëve.
Ymeri, po ashtu, ka dënuar gjuhën e përdorur nga deputetja Dërguti ndaj kolegut Albin Kurti, ditë më parë.
Mbledhja e Kryesisë së Vetëvendosjes ka nisur që nga ora 14:00 dhe ka përfunduar pak para orës 21:00.