Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje i përbërë nga Kryetari Visar Ymeri, kandidati për Kryeministër Albin Kurti dhe Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti vazhduan sot takimet zyrtare në Bruksel.
Ata u takuan me Victor Boshtinaru, Nënkryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Sandra Kalniete, Nënkryetare e Grupit EPP në Parlamentin Evropian dhe Eduard Kukan, eurodeputet, raportues për Shqipërinë dhe zëvendës raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.
Në këto takime u diskutuan zhvillimet politike në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe themelimi i qeverisë së Republikës së Kosovës. Europarlamentarët u interesuan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe uruan Vetëvendosje-n për rezultatin në to.
Po ashtu fokus i diskutimit ishin edhe prioritetet qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik i përqendruar te prodhimi që krijon vende të reja të punës dhe politikat që i mbrojnë punëtorët, e zbusin pabarazinë dhe rrisin kohezionin shoqëror.
Veçanërisht u theksua nevoja që të krijohen mekanizmat që e funksionalizojnë gjyqësorin e sundimin e ligjit kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Përfaqësuesit e Vetëvendosje-s shprehën edhe një herë zotimin për procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe shprehën qëndrimin tashmë të njohur për bashkëpunimin rajonal, si dhe atë për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.