Ymeri – Kurtit: A je tu e ditë çfarë po flet, për ty nuk qenka problem ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë

Prishtinë | 29 Sht 2025 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Analisti Visar Ymeri ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Albin Kurtit i cili tha “nuk është problem im që ta largojmë Serbinë nga Rusia”.

Ymeri përmes një postimi në facebook e pyeti Kurtin se  “si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i tij”.

Postimi i plotë:

Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit? Një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është një Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare përsëbrendshmi dhe e rrezikshme për secilin në rajon. Madje edhe e nxitur për tensionim të vazhdueshëm në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Për Albin Kurtin këto nuk qenkan problem i tij. Si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i Albin Kurtit?


Në anën tjetër u paska thënë studentëve që ShBA kundërshton vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri dhe për këtë kemi mospajtime (të cilat realisht janë sanksione nga ShBA ndaj Kurtit). Problemi i dytë ky: Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë.
Sëkëndejmi nuk qenka problem (i Kurtit) ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë.
A është duke e ditur Kurti se çka po flet? Apo thjeshtë është freestyling (çka t’i bjen në mend qatypërqaty). Po shpresoj që përnjëmend nuk po e din. Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme.

Të ngjashme