Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë vizituar ambientet e Institutit të Shëndetit Publik për të parë nga afër se si ndihma e Qeverisë së SHBA-ve po mbështet Shqipërinë në përgjigjen ndaj pandemisë.
Manastirliu falënderoi ambasadoren Kim dhe Qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Shqipërisë.
Nëpërmjet USAID-it në Shqipëri, qeveria amerikane ka angazhuar më shumë se 2 milionë dollarë për të përgatitur sisteme laboratorike, për shtimin e mundësisë së zbulimit dhe gjurmimit të rasteve pozitive, përgatitjen e stafit laboratorik për të reaguar, përmirësimin e komunikimit të risqeve dhe masa të tjera.
Ministrja Manastirliu dhe ambasadorja Kim vlerësuan ekipin e laboratorit dhe gjithë stafin e ISHP-së për punën e palodhur që po bëjnë në këtë situatë epidemie.