Yuri Kim e ka marrë edhe aprovimin e fundit për të qenë ambasadore e SHBA-së në Shqipëri.
Senati amerikan, në takimin e fundit për këtë vit, ka konfirmuar diplomaten Kim si ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Ajo u emërua nga presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.
Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit, në fund të tetorit, ajo kishte thënë se do të nxiste drejtuesit e vendit në Shqipëri që të zgjidhnin ngërçin aktual në mënyrë që të forcohej perspektiva e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE dhe do të inkurajonte po ashtu edhe vazhdimin e reformave.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA-në në postin e një ambasadori. Ajo është anëtare e stafit të lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.
Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.
Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA-së në Oqeanin Paqësor, ndërsa në Shqipëri do të pasojë Donald Lu./ TCh