Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka shfuqizuar vendimin për fshatin Zabel të Ulët që ishte shpallur ‘vatër e përhapjes së infeksionit’ pasi pacientja ka rezultuar negativ.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim, duke i ftuar që edhe me tej të respektojnë rekomandimet e IKShP-së dhe vendimet e tjera për mbrojtje nga virusi COVID-19.
Shkrimi i plotë i Kryetarit Lladrovci:
Tani edhe zyrtarisht, Ministri i Shëndetësisë z. Vitia ka shfuqizuar vendimin për fshatin Zabel të Ulët që ishte shpallur ‘vatër e përhapjes së infeksionit’ pasi pacientja ka rezultuar me test negativ.
Kërkojmë mirëkuptimin e familjeve që ishin në karantinë, banorëve të Zabelit e gjithë qytetarëve për shqetësimin dhe i falënderojmë për bashkëpunim dhe disiplinë të lartë.
Në bashkëpunim me ju qytetarë dhe gjithë akterët e tjerë relevant, deri tani kemi arritur të menaxhojmë mjaftë mirë situatën e emergjencës shëndetësore të krijuar nga virusi COVID-19, mirëpo, kjo nuk do të thotë se jemi imun ndaj pandemisë.
Të nderuar qytetarë, siç keni treguar deri tani kulturë të lartë qytetare në zbatimin e masave preventive, ju ftoj që edhe me tutje të respektoni rekomandimet e IKShP-së.
Evitoni daljet e panevojshme, kujdesuni për shëndetin tuaj, të familjes dhe shëndetin publik.
Pa panik, me kujdes!