Regjistrimi i popullsisë duhet të mbahet pavarësisht kërkesës së opozitës për shtyrjen për në shtator të këtij procesi statistikor, thonë nga Lidhja Social Demokrate në pushtet, e cila këtë qëndrim do të përsërisë edhe në takimin që kreu i kësaj partie dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po zhvillon me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski.
“Përfitimet e regjistrimit janë të mëdha, prandaj unifikimi është i nevojshëm e jo bojkoti i këtij procesi të rëndësishëm. Gjithkush që mendon mirë për shtetin dhe që dëshiron që ai të zhvillohet dhe të ecë përpara, duhet të japë kontributin dhe mbështetjen maksimale në këtë proces. Kjo është arsyeja pse ju bëj thirrje që t’i përgjigjeni masivisht regjistrimit, për të shfrytëzuar rastin për të kontribuar në përparimin e atdheut”, ka deklaruar deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja në opozitë, thonë se regjistrimi është shndërruar në marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit, andaj edhe kryetari i saj, Hristijan Mickoski edhe në takimin me Zoran Zaevin insiston në shtyrjen për në vjeshtë të këtij procesi, atëherë kur sipas opozitës, do të plotësoheshin kushtet, si epidemiologjike ashtu edhe politike.
“Me insistimin për mbajtjen e regjistrimit Zoran Zaev dhe (ministri i Shëndetësisë) Venko Filipçe me vetëdije po i çojnë qytetarët drejt rrezikut për jetën. A është i vetëdijshëm Zaevi se 5.500 regjistrues duhet të futen nëpër secilën shtëpi në shtet. Pjesa dërmuese e tyre mund të jenë pa simptoma dhe t’i infektojnë qytetarët me sëmundje kronike, të cilët mund të kenë pasoja fatale. Regjistrimi duhet të shtyhet”, thuhet në një komunikatë të VMRO-DPMNE-së duke riafirmuar qëndrimin e partisë në takimin e liderëve.
Takimi Zaev-Mickovski kishte nxitur dhe reagimin e opozitës shqiptare, e cila e ka vlerësuar si takim një-etnik, që sipas koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, “ka për qëllimin anulimin e regjistrimit, jo për shkak të pandemisë, por për shkak të frikës së rritjes së përqindjes së shqiptarëve në shtet”.
Derisa partitë debatojnë për anulimin ose jo të regjistrimit të popullsisë, nga ana tjetër Enti Shtetëror i Statistikës, thotë se ky proces është gati, pasi tashmë ka nisur regjistrimi i diasporës dhe më 1 prill do të nisë regjistrimi brenda vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës, ka thënë se procesi duhet të realizohet ndërsa ka shprehur habinë se si partitë maqedonase, sipas tij, mund t’i bëjnë thirrje maqedonasve që të mos regjistrohen apo të dalin me pretendimet se do të kurdiset rezultati mbi përqindjes e popullatës.
“Kjo nuk është një punë që po hapim fletoren dhe të shënojnë se kaq janë shqiptarët, kaq janë maqedonasit e kaq turqit. Ne jemi profesionistë dhe nuk pranojmë rekomandime qofshin ato nga (kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim) Ali Ahmeti apo Zoran Zaev. Kemi ligjin dhe ne atë e zbatojmë. Këtë proces nuk e bëjnë dy veta, unë dhe drejtori, por mbi gjashtëmijë regjistrues që do të dalin në terren për të kryer një operacion shumë të rëndësishëm, siç është regjistrimi i popullsisë. Unë hedh poshtë të gjithë dyshimet e partive se procesi është i kurdisur apo nuk di me çfarë tjera pretendimesh dalin në opinion”, ka deklaruar Selami.
Ndërkohë, në takimin mes Zaevit dhe Mickoskit po diskutohen edhe mundësitë për zhbllokimin e punës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Puna në këtë institucion është bllokuar pasi janë dorëzuar mijëra amendamente nga opozita shqiptare, e cila tërheqjen e tyre e kushtëzon me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për shtetësinë, ndërsa po diskutohen edhe për ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor.