Kryeministri Zoran Zaev sot në Berlin do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe me presidentin francez Emanuel Makron.
Takimi, siç informojnë nga Kabineti i Merkelit, është me kërkesë të kancelares, ndërsa menjëherë pas bisedimeve me Zaevin do të pasojë takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Përveç me ata dy, Merkel dhe Makron do të takohen edhe me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, Denis Xvezdiq nga BeH, Hashim Thaçi nga Kosova, Millo Gjukanoviq nga Mali i Zi dhe Aleksandar Vuçiq nga Serbia. Në takim janë ftuar edhe kryeministrat e Sllovenisë dhe të Kroacisë, Marjan Sharec dhe Andrej Plenkoviq.
Sipas agjendës së Qeverisë gjermane, në konferencë do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini.