Kryeministri i Maqedonisë, njëherësh edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka kërkuar që të gjithë të afërmit e funksionarëve qeveritarë, të cilët janë punësuar gjatë periudhës së fundit dhe janë evidentuar nga Komisioni Antikorrupsion duhet të tërhiqen nga vendet e punës.
Në mesin e tyre janë familjarë të ngushtë të ministrave, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetëror. Zaev nga tribuna në Prilep bëri thirrje për përgjegjësi politike dhe profesionale për çdokend që është përfshirë në nepotizëm dhe ka cenuar të drejtën e qytetarëve. “I jap urdhër të gjithëve që menjëherë të tërhiqen nga vendet e punës ku janë punësuar. Vetëm kështu do të funksionojë sistemi. Komisioni Shtetëror Antikorrupsion është institucion i pavarur dhe pres që të publikojë rezultatet edhe për palën tjetër, për shkak se edhe ata ishin shembull për nepotizëm”, theksoi Zaev/INA.