Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së dhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë gjatë viteve 2008-2011, ambasadori Lamberto Zannier, tha se do të ishte shumë e rëndësishme që një gjeneratë e re e politikanëve të vijë në Kosovë që përpiqet t’i kapërcejnë konfliktet nga të së kaluarës.
I pyetur nëse zgjedhjet e 14 shkurtit do të shënojnë vërtet fundin e mbizotërimit të ish-komandantëve të UÇK-së, Zannier theksoi se në një moment kjo u bë çështje brezash.
“Do të ishte e rëndësishme të fuqizohet brezi i ri që të përpiqet t’i kapërcejë plagët e thella të konfliktit dhe të shkojë drejt një vizioni më pragmatik të asaj që është e nevojshme për ta kapërcyer bllokimin aktual. Nuk mund të jetë thjesht e kaluara, por një vizion i fortë i së ardhmes”, tha Zannier për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.
Mendësia e kosovarëve dhe serbëve duhet të ndryshojë, thotë Zannier, teksa shton se duhet një udhëheqje e fortë për ta promovuar një shoqëri të integruar.
“Shoqëria në Kosovë është ende thelbësisht e veçantë. Si Komisioner i Lartë për Pakicat Kombëtare, unë shkova në Kosovë për të shqyrtuar çështje të tilla si gjuha dhe arsimi. Nëse shqiptarët mësojnë dhe flasin vetëm shqip, dhe serbët mësojnë dhe flasin vetëm serbisht, ka pak shpresë se gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen. Pra, mendësitë para së gjithash duhet të ndryshojnë”, tha ai. “Një udhëheqje e fortë lokale është e nevojshme për ta promovuar një shoqëri më të integruar, një shoqëri në të cilën përfaqësimi, për shembull, jo vetëm që garantohet nga kuotat, por është rezultat i integrimit real”, shtoi Zannier.
Ai tha se mund të pritet lehtësim në çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por theksoi se marrëveshja s’mund të arrihet pa vullnetin e palëve.
“Unë e njoh ish-ministrin e Punëve të Jashtme sllovake, Lajçak dhe besoj fort se ai do ta japë më të mirën e tij dhe do të tregojë ekuilibër dhe barazi në veprimin e tij. Por roli i bashkësisë ndërkombëtare – BE-së ose administratës së re të Biden në Shtetet e Bashkuara – ka ndryshuar. Mund të sigurojë lehtësim, stimuj dhe këshilla, por vendimet përfundimtare merren nga palët në negociata” tha ai. “Nëse kjo mund të përfundojë tani, ne mund të jemi duke kërkuar një të ardhme të re të ndritshme për të gjithë rajonin”.