Zariqi: Efiçienca e Energjisë është duke u trajtuar me prioritet nga Qeveria e Kosovës

Prishtinë | 12 Jan 2018 | 16:37 | Nga

Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Zëvendësministri Xhavit Zariqi po merr pjesë në Samitin Ndërkombëtarë- ENIPE Samit 2018 Energy Efficient & Innovation Buildings, i cili është organizuar nga qendra Tregtare Botërore që po mbahet në Stamboll.

Në këtë samit po marrin pjesë ekspertë të fushave të ndryshme si nga fusha e energjisë, tregtisë, nga fusha e efiçiencës së energjisë si dhe nga fusha e inovacionit. Kosova në këtë samit po përfaqësohet nga Zv. Ministri Zariqi i shoqëruar nga udhëheqësi i Divizionit për Monitorim dhe Raportim në Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Arsim Kuliqi.

“Kosova ka investuar shumë në fushën e efiçiencës së energjisë, të cilat investime rezultojnë me kursim të energjisë elektrike dhe nga këto investime më së shumti përfitojnë qytetarët e vendit. Efiçienca e Energjisë është duke u trajtuar me prioritet nga Qeveria e Kosovës andaj investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, u shpreh Zariqi.

Ai gjatë fjalimit të tij i ftoi investitorët që të investojnë në Kosovë në fushën e energjisë, e me theks të veçantë në atë të efiçiencës së energjisë ngase Kosova e ka të rregulluar infrastrukturën ligjore dhe çdo investim i bërë do të jetë në të mirë të qytetarëve të vendit.

Ky samit është i nivelit ndërkombëtar dhe ka për synim të bashkojë prodhuesit e teknologjive të efiçiencës së energjisë nga vendet e ndryshme.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme