Zbatimi i Kontratës Kolektive në arsim po e rrezikon buxhetin e komunave

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

E proklamuar si njëra ndër benefitet më të mëdha për mësimdhënësit në Kosovës, Kontrata Kolektive rrezikon t’i vërë në kolaps buxhetor komunat e Kosovës.

Mijëra mësimdhënës po vazhdojnë t’u drejtohen gjykatave në vend për të realizuar të drejtat e tyre që dalin nga Kontrata Kolektive, raporton Koha.

Vetëm në Komunën e Malishevës janë mbi 260 mijë euro, të cilat presin t’u ekzekutohen mësimdhënësve.

Zyrtarë në Malishevë thonë se po rrezikohet funksionimi i Komunës.

Me kërkesa të mëdha për ekzekutimin e pagave jubilare po përballet edhe Komuna e Prishtinës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se marrëveshja e nënshkruar vite më parë mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit ishte jotransparente dhe që u shkaktoi miliona euro dëme komunave.

Derisa zyrtarë të SBASHK-ut thonë se shumica e mësimdhënësve të drejtën e tyre po e realizojnë përmes vendimeve gjyqësore.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave në një përgjigje të shkurtër kanë konfirmuar se Komisioni i Granteve gjatë planifikimit të buxhetit për vitin 2020 ka aprovuar mbi 1 milion euro për këto pagesa.

“Komunat mund t’i bëjnë pagesat për mësimdhënësit në kuadër të buxhetit të tyre të aprovuar për vitin 2020. Komisioni i Granteve gjatë planifikimit të buxhetit për vitin 2020 ka aprovuar mjete për këtë qëllim në kuadër të granit të arsimit. Shuma e aprovuar është 1.375.106 euro”, thuhet në përgjigjen nga MF-ja.

Kontrata Kolektive e nënshkruar mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit në vitin 2014 parasheh që mësimdhënësit bazuar në përvojën e tyre të punës të marrin pagë prej 50-75 për qind dhe gjithashtu të kenë beneficione të tjera, siç janë marrja e tri pagave të fundit.

Të ngjashme