Aksionet e kompanisë Boeing ranë 10 për qind pas rrëzimit të aeroplanit 737 MAX 8 të linjës ajrore të Etiopisë. Ky aksident për kompaninë është i dyti më radhë në vetëm pesë muaj.
Kjo rënie e aksioneve është më e madhja për kompaninë në gati dy dekada.
Një aeroplan Boeing 737 MAX 8 u rrëzua vetëm pak minuta pasi u nis nga kryeqyteti etiopian Addis Abeba në drejtim të Nairobit, duke vrarë të gjithë udhëtarët në bord. I njëjti model i aeroplanit, u rrëzua në brigjet e Indonezisë në muajin tetor 2018 duke vrarë 189 udhëtarë në bord.
Boeing në një njoftim tha se hetimi për rrëzimin e avionit të Ethiopian Airlines është në fazën fillestare
“Ne parashikojmë luhatshmëri më të madhe në aksionet e Boeingut. Edhe pse është e hershme për të nxjerrë konkluzione, mund të ketë shqetësime rreth sigurisë”, tha analisti i Morgan Stanley, Rajeev Lalwani.
Në anën tjetër, aksionet e rivalit Airbus u rritën 0.5 për qind.