Udhëtimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Berlin nuk kishte vetëm politikën si qëllim. Pas takimeve me kancelaren Merkel dhe anëtarëve të Bundestagut duket se kreu i qeverisë shqiptare do ta shfrytëzojë këtë vizitë edhe për qëllimet e tij artistike.
Në 12 shtator në kryeqendrën e Gjermanisë u hap “Berlin Art Week” një aktivitet që përfshin 110 galeri arti në dy hangarë të aeroportit historik “Tempelhof”. Ky është edicioni i dytë i panairit që mbahet në një aeroport të ndërtuar nga nazistët në aeroportin e kohës së luftës.
Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe Edi Rama me punimet e tij në pikturë dhe në qeramikë. Mediat e huaja kanë zbuluar për herë të parë edhe çmimet me të cilat shet grafikat e tij kryeministri shqiptar. Sipas “Deutsche Welle”, Rama do ta hapë galerinë e tij në 15 shtator dhe për të ka bashkëpunuar ka zgjedhur një njohje të vjetër, artistin Anri Sala.
Ndërsa “Artnetnews” shkruan se kryeministri i Shqipërisë është një artist i vendosur që ta tregojë punën e tij në të gjithë botën. Galeria e tij me qendër në Berlin dhe Madrid, “Carlier|Gebauer” ka prezantuar një skulpturë qeramike që ngjan me disa pllaka prej lënde të butë të grumbulluara njëra mbi tjetrën, si dhe letër-muri me vizatime të vogla, me ngjyra të ndezura, mbi të cilat janë varur copa të vogla, amorfe qeramike.
Vetëm njëra nga këto grafika të Ramës e vitit 2018 kushton 3500 euro. Asnjëherë kryeministri shqiptar nuk ka folur sa ka fituar nga shitja e veprave të tij të artit. Vetëm në deklarimin e pasurisë së vitit 2018 Rama vuri shifrën e 3.8 milionë lekëve të reja si të ardhurave nga shitja e pikturave dhe librit “Kurban”. Nëse do t’ju qëndrojmë këtyre shifrave Rama shet në vit rreth 9 piktura. Bileta më e lirë për të hyrë në aktivitetin që mbahet në Berlin është 16 euro ndërsa më e shtrenjta 45 euro. Ajo që nuk dihet ende është nëse pjesëmarrja e Ramës si artist në këtë aktivitet është me ftesë apo ai ka paguar për të qenë pjesë e tij.