Federata e Futbollit të Kosovës e ka publikuar sot orarin e ndeshjeve të BKT Superligës, respektivisht të fazës së parë, e cila do t’i ketë nëntë xhiro.
Komisioni i Garave pranë FFK-së e ka përpiluar orarin e plotë, me ç’rast tri ndeshjet e para të sezonit të ri do të luhen më 13 gusht dhe dy të tjera të nesërmen, më 14 të këtij muaji, shkruan “Gazeta Express”.
Për shkak se sivjet prej 21 nëntor deri më 18 dhjetor do të mbahet Kupa e Botës “Katari 2022”, shtëpia e futbollit kosovar ka planifikuar që garat e stinorit vjeshtor të mbyllen para fillimit të këtij eventi, prandaj disa xhiro do të zhvillohen në mesjavë.
Vlen të përmendet se nga data 19 shtator deri më 1 tetor Superliga pushon për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.