Zbulohen emrat e klubeve të mëdhenj anglezë që donte t’i blinte Abramovich para Chelseat

| 21 Sht 2022 | 11:52 | Nga

Roman Abramovich mund ta blinte Arsenalin në vend të Chelseat, por atij iu tha se klubi anglez nuk ishte në shitje nga bankierët zviceranë.

Kjo është zbuluar në librin e ri, “The Club”, të shkruar nga gazetarët e “Wall Street”, Joshua Robinson dhe Jonathan Clegg.

Sipas këtij libri, në vitin 2003, miliarderi rus kishte kërkuar informata për “Gunners”, por që banka zvicerane UBS ishte kategorike për të mos e shitur klubin, shkruan mediumi britanik “Daily Mail”.

Gjithashtu, oligarku rus e kishte në plan ta blinte edhe Tottenhamin, por edhe në këtë rast kishte dështuar pas bisedave që i kishte me pronarin e atëhershëm të “Spurs”.

Më pas, ai vendosi ta blinte Chelsean, të cilin e mbajti për plot 19 vjet, ndërsa e shiti klubin këtë vit pasi iu ngri pasuria që e kishte në Britaninë e Madhe, ku u shpall “persona non-grata” për shkak të afërsisë që e ka me presidentin rus, Vladimir Putin.

Abramovich madje thuhet se ishte munduar ta sillte Thierry Henry në “Stamford Bridge”, kur ish-sulmuesi francez ishte në kulmin e karrierës në Premierligë.

Natyrisht, Abramovich nuk gaboi që i mori në dorë “Blues”, pasi me këtë klubi fitoi gjithçka të mundshme për afro dy dekada.

Të ngjashme