Borusia e Dortmundit i parakalon të gjithë dhe bën goditjen e janarit: transferon zyrtarisht sulmuesin më të kërkuar të momentit, Erling Haland, protagonist i një sezoni të shkëlqyer me Salcburgun (28 gola në 22 ndeshje në të gjitha kompeticionet).
Kontratë deri në vitin 2024 dhe sulmuesi norvegjez do t’u bashkohet shokëve të rinj më 3 janar. E donin të gjithë dhe konkurrenca ishte shumë e pamëshirshme. 19-vjeçari klient i Mino Raiolës kishte një klauzolë prej 20 milionë eurosh, e cila hyn në fuqi muajin e ardhshëm.
Dukej se do të përfundonte në një mes Juventusit apo Junajtidit, të cilat gjithashtu kishin akordin me Salcburgun dhe ishin përpara Dortmundit. Por duket se është gjithnjë Raiola ai që vendos për klientët e tij.
United u tërhoq dhe nuk ra dakord që të kënaqte kërkesat e tepruara financiare të superagjentit dhe babait të talentit, ndërsa Juve i ofronte Raiolës 11 mln euro komision. Gjermanët pranuan t’i paguajnë Raiolës 15 mln euro komision dhe 8 milionë futbollistit për firmën. Zbulohet edhe rroga e sulmuesit për 4.5 vitet e ardhshme, 8 mln euro në sezon.
“Të transferohesha në Salcburg ishte vendimi më i mirë që kam marrë deri tani në jetën time. Ndodhën shumë gjëra gjatë vitit të shkuar, kështu që e kam të vështirë ta besoj. U jam shumë mirënjohës të gjithëve në klub që mësova kaq shumë në një kohë të shkurtër. Për mua udhëtimi vazhdon në Dortmund. Do të jetë emocionuese që do të luaj përpara 80 mijë tifozëve”.
Menaxheri i BVB, Vacke, dhe drejtori sportiv, Cork, janë krenarë për këtë goditje: “Pavarësisht ofertave nga klubet më të mira të Europës, ai vendosi që të zgjedhë Dortmundin dhe planin që ne i propozuam atij”, tha Vacke, ndërsa Cork shtoi: “Presim të gjithë një qendërsulmues ambicioz, atletik dhe fizikisht të fortë me instinktin e golit dhe shpejtësi të jashtëzakonshme”.