Zbulohet arsyeja e ndarjes, dyshohet se Mërgim Berisha e rrahu gruan e tij, e kërcënoi dhe e dëboi nga banesa

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë u zbulua lajmi se futbollisti kosovar Mërgim Berisha ishte ndarë me gruan e tij pasi e kishte fshirë atë nga rrjetet sociale dhe i kishte hequr fotografitë që i kishte me të.

Por, sot ka dalë një tjetër lajm shokues që lidhet me këtë ndarje.

Bashkëshortja Vesa Vllasaliu pretendon se është rrahur nga sulmuesi i Fenerbahçes, i cili e kishte larguar atë edhe nga banesa pas konfliktit, shkruan mediumi turk “dha.com.tr”, përcjell “Gazeta Express”.

Modelja kosovare e ka paraqitur rastin në gjykatë dhe e ka angazhuar një avokat.

Çifti po jetonte së bashku që nga shtatori i vitit 2021, por së fundmi kishin nisur konfliktet në mes tyre.

Berisha, siç pretendon Vllasaliu, e kishte rrahur atë dhe më pas e kishte dëbuar nga banesa e tyre në Umraniye, ku po jetonin së bashku.

Po ashtu, në akuzë thuhet se Berisha nuk e ka lejuar gruan e tij t’i merrte gjësendet e saj dhe se e kishte urdhëruar sigurimin poshtë banesës të mos e linte gruan e tij të kthehej në banesë.

Ndër të tjera, në akuzë thuhet se Berisha e ka kërcënuar Vllasaliun.

Gjykata i ka marrë disa vendime ndaj Berishës, i cili, nëse nuk i respekton ato, mund të dënohet me burgim të detyrueshëm deri në një muaj.

Gjykata kërkon nga futbollisti të mos e shkaktojë asnjë problem në dy muajt e ardhshëm, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Familjes dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave.

Gjithashtu, gjykata vendosi që Berisha të mos i afrohet për dy muaj banesës së gruas së tij dhe vendit të punës së saj, përcjell “Gazeta Express”.

Gjykata ndër të tjera ka vendosur që Berisha të mos e shqetësojë për dy muaj Vllasaliun me mjete komunikimi, me rrjete sociale apo me mjete të tjera.

Nëse ai nuk i respekton këto vendime, do të dënohet me burg prej 3 deri në 30 ditë. 

Të ngjashme