Filmi më i ri i regjisorit të popullarizuar Wes Anderson do të dalë në kinema këtë verë. Filmi me titull të plotë “The French Dispatch of the Liberty, Kansas Evening Sun” pritet në kinema më 24 korrik.
Anderson e ka shkruar skenarin dhe e bën regjinë e filmit, i cili mbledh një koleksion të tregimeve të shkurtra nga botimi më i fundit i një reviste amerikane të botuar në një qytet imagjinar francez në shekullin 20.
Si të gjithë filmat e deritanishëm të Andersonit, edhe ky film mburret me një kastë yjore ku marrin pjesë Saoirse Ronan, Benicio Del Toro, Adrien Brody, Tilda Swinton, Léa Seydoux, Frances McDormand, Timothée Chalamet, Christoph Waltz, Lyna Khoudri, Jeffrey Wright, Mathieu Amalric, Stephen Park, Bill Murray, Owen Wilson dhe shumë të tjerë, shkruan KOHA Ditore.
Anderson nuk e ka ndonjë karrierë të pasur për sa i përket sasisë – ky është vetëm filmi i tij i 10-të artistik në karrierën e tij – por ai gjithsesi është dalluar në botën e filmit për nga stili i tij i veçantë dhe i ka madje 7 kandidime për “Oscar”. Filmi i fundit, “Isle of Dogs”, u publikua në vitin 2018, por filmi i tij i fundit artistik ishte “Hotel Grand Budapest” i vitit 2014.