Me pretekstin se do të hapë call centera, një i ri nga Kosova ka zhvatur qytetarë të ndryshëm në Shqipëri të cilëve iu ka marrë lekë borxh dhe nuk ua ka kthyer më.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mysafiri” u bë ndalimi i Qerim Krasniqit. “Ky shtetas ju kërkonte para borxh me pretendimin se do hapte call center dhe i mashtronte dhe nuk jua kthente më paratë”, thotë policia.
I riu nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135000 euro nga një grua, me pretendimin se do t’i investonte në call center. Ai kishte përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, me anë të mashtrimit, nga persona të ndryshëm.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mysafiri”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Kishte përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, me anë të mashtrimit, vihet në pranga 30-vjeçari nga Kosova.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, nisur prej vitit 2021, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mysafiri”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit Q. K., 30 vjeç, banues në Kamenicë, Kosovë, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135000 euro nga një shtetase, me pretendimin se do t’i investonte në call center. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.