Vedat Muriqi e pati një eksperiencë pozitive në La Liga.
Sulmuesi kosovar i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime gjatë pesë muajve sa qëndroi në Mallorca.
Ai e ndihmoi ekipin spanjoll të mbetet në ligën elitare spanjolle dhe gjatë kësaj periudhë hyri në zemrat e tifozëve të këtij klubi.
Ata madje i kërkuan atij edhe publikisht të qëndrojë në ekipin ishullor, shkruan “Gazeta Express”.
Momentalisht, 28 vjeçari është rikthyer në Lazio pasi i përfundoi huazimi në Mallorca.
Por, klubi italian nuk e ka ndërmend ta mbajë lojtarin, i cili e kishte një eksperiencë dëshpëruese prej një viti e gjysmë në kryeqytetin italian.
Lazio e kishte vendosur çmimin e Muriqit prej 12 milionë eurosh.
Por, Mallorca kërkon ta blejë më lirë lojtarin.
Klubi spanjoll është i gatshëm t’i paguajë 10 milionë euro për kartonin e prizrenasit, shkruajnë mediat italiane, përcjell “Gazeta Express”.
Lazio e kishte blerë Muriqin për afro 20 milionë euro nga Fenerbahçe, ndërsa nuk është e gatshme ta japë atë për një shumë më të ulët se 10 milionë euro.
Gjithashtu, interesim për Muriqin, i cili aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës, ka shfaqur edhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe dhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Galatasaray.