Zbulohet rafineri kokaine në Itali, arrestohet një shtetas shqiptar

Prishtinë | 07 Gus 2026 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Një operacion i gjerë i karabinierëve në qytetin e Latinës, në Itali, ka zbuluar një rafineri të sofistikuar të kokainës, e fshehur mes bimësisë pranë një banese.

Gjatë aksionit janë arrestuar pesë persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, të dyshuar për prodhim, përpunim dhe posedim të lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit janë dy shtetas italianë, një holandez, një kolumbian dhe një shqiptar. Ata dyshohet se kishin role të ndryshme në një aktivitet kriminal të lidhur me përpunimin dhe shpërndarjen e drogës, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit, karabinierët zbuluan një laborator të pajisur me mjete profesionale për rafinimin, përzierjen dhe paketimin e kokainës. Në ambient u sekuestruan pajisje për paketim me vakum, peshore precize, sita, furra me mikrovalë dhe presa për formimin e blloqeve të drogës.

Në laborator u gjetën rreth 9 kilogramë kokainë në proces rafinimi, si dhe substanca të tjera që dyshohet se përdoreshin për përpunimin e saj. Hetuesit zbuluan gjithashtu 27 thasë me pelet druri, të cilët dyshohet se ishin përdorur në një proces kimik për nxjerrjen e kokainës.

Kontrollet vazhduan edhe në banesën e të dyshuarve, ku u gjetën rreth 18.2 kilogramë kokainë e gatshme për shitje, si dhe para të gatshme, pajisje elektronike, sende me vlerë dhe shënime që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

E gjithë zona ku ndodhej rafineria është vendosur nën sekuestro, ndërsa ekspertët italianë po kryejnë hetime për të përcaktuar sasinë e plotë të drogës dhe mënyrën e përpunimit të saj.

Pesë të arrestuarit janë dërguar në burgun e Latinës dhe ndodhen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Të ngjashme