Zyrtari policor hetues në Njësinë e Aksidenteve, Ismet Kryeziu, dhe zyrtari i stafit civil punonjës në zyrën e SIPK-ut, Rexhep Ajeti, në njësitin e Trafikut Rajonal të Policisë së Kosovës në Gjilan, pas një pune mirë të organizuar, përmes rrugëve operative kanë siguruar të dhëna të besueshme për ekzistimin e një rrjeti kriminal të organizuar dhe strukturuar, që inskenonte aksidente të paqena apo të paramenduara me qëllim të përfitimit material nga kompanitë e sigurimeve për vete dhe të tjerët.
Kjo bëhet e ditur përmes një njoftimi për media të Zyrës për informim të Policisë së Kosovës, në Gjilan, transmeton Koha.net.
Sipas këtij njoftimi, zyrtarët policorë pas verifikimeve, kanë ngritur dyshimin dhe kanë identifikuar rreth dyzet (40) persona të përfshirë në një numër të madh aksidentesh të inskenuara, kanë siguruar të dhëna të qëndrueshme që lidhen me dyshimin e bazuar se kanë bërë manipulime me kësi lloj aksidentesh në gjithë territorin e Kosovës.
Këto të dhëna janë kompletuar dhe janë përcjellë në njësitet e hetimeve rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan për hetime të mëtutjeshme. Si rezultat i këtyre hetimeve me vendim të Prokurorisë në Gjilan deri më tani nga dyzet (40) të dyshuar janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona, ndaj të cilëve do të rëndojnë kallëzime penale për “Legalizim të rremë”, dhe “Manipulim me prova”.