Është përuruar në Obiliq shtatorja heroit Xhavit Hazirit. Në këtë ceremoni për ta nderuar jetën dhe veprën e heroit Xhavit Hazirit, të pranishëm ishin presidenti i vendit, Hashim Thaçi; kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, raporton EkonomiaOnline.
Me këtë rast, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e vlerësoi si një ndër personalitetet më eminent të luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
“Do shkruhen shumë libra e do dalin shumë dokumentarë për rolin historik të Xhavit Hazirit sepse heroi i kombit ishte personaliteti eminent i luftës sonë për liri dhe bashkim kombëtar. Xhaviti ishte mjeshtër i organizimit njeri i ideve kreative për rezistencë kundër policisë serbe. Për jetën dhe veprën e Xhavitit do shkruhet e do flitet shumë. Sot, Xhavit Haziri është emblema e UÇK-së e shtetit tonë dhe e çlirimit tonë”, tha ai.
Edhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, e vlerësoi lart angazhimin e Hazirit për liri dhe pavarësi.
“Pas 21 vitesh në 1998 jemi nda për herë të fundit me Xhavit Hazirin e së bashku me Hashim Thaçin kemi folur për shumë gjëra që ta çlirojmë më çdo cep të Kosovës. Xhavit Haziri nuk është ndalë kurrë. Qoftë se ka pas më vonë UÇK ideolog i organizimit kundër Jogusllavisë ka qenë Xhavit Haziri. Jo rastësisht në shtatorin e 1998 qeveria qendrore e Beogradit e kanë kidnapuar ka edhe dokumente për këtë. Ne bashkë do të vazhdojmë këtë rrugëtim të Xhavit Hazirit”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se edhe pse se ka pasur fatin ta njohë personalisht, atë çfarë ka dëgjuar për heroin Xhavit Haziri, është e veçantë.
“Sot kësaj shpie të kulturës i shtohet edhe shtatorja dhe mendoj që në këtë mënyrë ne po e konfirmojmë një respekt dhe një përgjigje si duhet. Unë se kam njohur fizikisht atë por nga ajo që kam mësuar për Xhavitin e bëjnë të veçantë. Gjatë rrugëtimit të tij shohim që ai rrugëton bashkë me Kosovën dhe shqiptarët, për fat Xhavitit nuk iu mohua e drejta për rezistencë, u ndal nda armiku ynë por asnjëherë nuk do të ndahet nga ne nga populli i tij”, tha ai.
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se Xhavit Haziri është një nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare.
“Sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe kombin shqiptarë. Heronjtë dhe dëshmorët e kombit tonë me flijimin e tyre për atdhe dhe me amanetin që na lanë do kujtohen të gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare. Nga ky front ranë shumë dëshmorë dhe dhanë jetën shumë burra gra fëmijë e pleq”, tha ai.