Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, në qendër të Podujevës është zbuluar busti i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, raporton Ekonomia Online.
Krahas qytetarëve të shumtë në zbulimin e kësaj shtatore morën pjesë edhe Familja Rugova; krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti; zv.kryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla; ministri Faton Peci, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi; ish-presidenti Fatmir Sejdiu e personalitete të tjera.
Ish-presidenti Rugova u cilësua si figura më e madhe e kombit.
Presidentja Vjosa Osmani tha se presidenti Rugova po i kthehet në bronz Llapit, siç u shpreh ajo, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës.
Ajo potencoi se Kushtetuta e Kaçanikut është një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Sot Ibrahim Rugova po i kthehet Llapit i bronztë duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës. Njësoj siç u patë kthyer nga Italia në Kosovën e lirë në vitin 2000, i gjithë Llapi u patë ngritë në këmbë për ta pritur atë me një tubim madhështor. Shtatorja e presidentit Rugova nuk është vetëm një monument i bronztë por një testament i idealeve për të cilën ai punoi deri në vdekje, për Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Presidenti Rugova ishte simbol i shpresës, ai qëndroi i palëkundur, për vizion për pavarësi dhe asgjë më pak. Presidenti i dha politikës dimensionin human”, tha Osmani.
Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, tha se ish-presidenti Rugova arriti të udhëhiqte projektin për liri dhe pavarësi.
“Lideri ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova u vu në krye të një lëvizje autentike politike për liri dhe pavarësi të Kosovës. Nën udhëheqjen e tij projekti për liri dhe pavarësi të Kosovës i mbështetur në parimet e mëdha, të cilat ishin edhe parimet e LDK-së, e që ishin liri, pavarësi dhe demokraci, arriti të krijojë mirëkuptimin e gjithë botës demokratike dhe të qytetëruar”, tha Sejdiu.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo ditë është historike për qytetin që ai e udhëheq.
“Sot është ditë e veçantë për Podujevën dhe gjithë Kosovën. Në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut po nderojmë një prej figurave historike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi që simbolizoi lirinë dhe pavarësinë me idealin e tij të pashoq dhe me vizionin e tij të paepur, udhëhoqi Kosovën drejtë Pavarësisë me ndihmën e aleatëve tanë ndërkombëtar”, tha Bulliqi.
E në emër të familjes, foli djali i ish-presidentit Rugova, Ukë Rugova, i cili falënderoi Komunën e Podujevës për këtë shtatore, të punuar nga skulptori Gëzim Muriqi.