Zbulohet strategjia e Realit që Mbappe ta mposhtë Kanen për Topin e Artë

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Real Madridi ka një plan të veçantë për ta ndihmuar Kylian Mbappén të fitojë Topin e Artë këtë vit, në një garë të ashpër për çmimin prestigjioz.

Superylli francez është një nga favoritët kryesorë për nderin më të madh individual në futboll, me yllin e Bayern Munichut, Harry Kane, dhe sensacionin e Barcelonës, Lamine Yamal, që gjithashtu janë në garë.

Mësohet se Madridi është i dëshpëruar që ylli i tij kryesor ta fitojë çmimin dhe planifikon t’i japë atij ekspozim të madh dhe mbështetje publike gjatë javëve të ardhshme, për t’i rritur shanset për ta fituar trofeun.

Real Madridi shpreson që mbështetja e tij publike për Mbappén do t’i rrisë shanset e tij për ta fituar Topin e Artë muajin e ardhshëm.

Një raport i L’Équipe thotë se gjigantët e La Ligës kanë nisur një plan të veçantë në prag të ceremonisë, i cili do të bëjë që legjendat e klubit të shpjegojnë vazhdimisht pse ai meriton ta fitojë çmimin.

Madridi ndoqi një qasje të ngjashme në vitin 2013, kur Alfredo Di Stéfano, Emilio Butragueño, Carlo Ancelotti, Iker Casillas dhe Sergio Ramos e mbështetën publikisht Cristiano Ronaldon për çmimin.

Ronaldo përfundimisht mposhti dyshen e Bayern Munichut, Franck Ribéry dhe Arjen Robben, për ta fituar çmimin, dhe Madridi raportohet se shpreson që një fushatë e ngjashme ta ndihmojë Mbappén t’i paraprijë Kane dhe Yamalit në garën për trofeun.

Kuotat e fundit të kompanive të basteve e vendosin Kanen si favorit, me Mbappén në vendin e tretë pas Yamalit. Asnjë lojtar nuk shënoi më shumë gola për klubin gjatë sezonit 2025-26 sesa Kane, i cili realizoi 61 herë teksa Bayern Munich fitoi titullin e ligës dhe Kupën e Gjermanisë.

Topi i Artë ndahet çdo vit nga revista France Football për lojtarin që konsiderohet të ketë qenë më i miri në botë gjatë një sezoni të plotë.

Fituesi përcaktohet përmes një sistemi votimi ku marrin pjesë gazetarë. Fillimisht, France Football dhe L’Équipe krijojnë një listë të ngushtë prej 30 lojtarësh.

Më pas, një gazetar nga secili prej 100 shteteve me renditjen më të lartë në FIFA ftohet të votojë për 10 lojtarët e tij më të mirë, me pikë që jepen në bazë të renditjes së tyre.

Gazetarëve të përzgjedhur u kërkohet të marrin në konsideratë tre faktorë kryesorë gjatë votimit. Fillimisht, ata duhet të marrin parasysh paraqitjet individuale gjatë sezonit të kaluar, përpara se të marrin në konsideratë paraqitjet e skuadrës dhe atë që lojtarët kanë arritur si në nivel klubesh, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Faktori i tretë është loja e ndershme, ndërsa fituesi pritet gjithashtu të jetë një ambasador i denjë i sportit.

Pasi të jenë dorëzuar të gjitha votat, pikët mblidhen dhe lojtarët renditen sipas totalit të tyre. Nëse dy lojtarë kanë pikë të barabarta, fiton ai që ka marrë më shumë vota të vendit të parë.

Të ngjashme