Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se janë detyruar që të rikthejnë reduktimet për shkak të tri faktorëve që sipas tij kanë ndikuar në krizën energjetike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se është rritur konsumi i energjisë elektrike si dhe janë rritur çmimet e importit.
“Vendi aktualisht është duke u përballur me vështirësi bukur të mëdha. Në bazë të analizave që janë bërë janë tri faktorë që ndikojnë në këtë gjendje është rritja e madhe e konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmëria e prodhimit dhe kriza ndërkombëtare që ka rritur çmimet në nivel shumë të lartë. Konsumi ka arritur deri në 1400 MW në orë që nuk është shënuar asnjëherë në histori të Korporatës. Prodhimi shkon në 600 MW dhe e kemi jashtë njësinë B të termocentralit Kosova B. Edhe çmimet e importit po shkojnë në 600 euro për MW e që janë 10 fish më të larta sesa vitin e kaluar”, ka thënë ai.
Më tutje, Buzhala deklaroi se KEDS-i është detyruar që të fillojë me kufizime për herë të parë në historinë e kompanisë.
Për fillimin e këtyre kufizimeve ai tha se është marrë vendim pas shterjes së resurseve.
“Ne për disa muaj e kemi bartur barrën e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët. Nuk kemi aplikuar reduktime për asnjë konsumatorë derisa na u shtjerrën resurset. Komplet sistemi është bërë likuid dhe ne kemi filluar me kufizime. Po flasim për kufizime që kanë ndodhur për herë të parë në historinë e kompanisë, domethënë pas tetë vitesh kemi filluar me kufizime pas tetë vitesh”, ka thënë ai.
Ndërkaq për akuzat e kryetarit të PSD-së, se KEDS është shkaktare për këtë krizë, Buzhala ka thënë se për këtë janë duke u marrë zyra ligjore.
Buzhala ka thënë se pretendimet e Molliqajt janë absurde derisa ka shtuar se me deklarimet e Molliqajt po merret edhe zyra ligjore e KEDS-it.
“Me pretendimet e tij është duke u marrë zyra jonë ligjore. Është konstatim absurd. Do të sqarohet kjo çështje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Buzhala.
Molliqaj sot në konferencë për media ka deklaruar se nga burimet brenda KEK-ut janë informuar se blloqet A3 dhe A5 janë prishur me qëllim.