Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka mohuar akuzat e zëdhënësit të BE-së, Petër Stano, se institucionet kosovare nuk e kanë dërguar asnjë raport për agresionin në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.
Ai për Klankosova.tv ka thënë se e kanë përpiluar një raport 48-faqësh për atë që ndodhi në Spanjë.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë”.
“Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu e ka theksuar se më shqetësuese është që Serbia ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari të Listës Serbe, që është në mesin e personave që e kryen agresionin në Banjskë.
“Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, ka thënë Kryeziu.