Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka reaguar sot lidhur me disa gara automobilistike që po mbahen në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë. Mirëpo, i njëjti nuk reagoi ditë më parë për tubimin e VV’së në shesh, ku morën pjesë shumë persona, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoti u shpreh i nervozuar lidhur me organizimet që po bëhen në vend, duke veçuar dasmat, ahengjet e një garë automobilistike që u zhvillua sot.
“Gara me vetura po; ahengje e dasma ilegale me bollëk; kafeteritë plot-pa maska, pa distancë fizike, pa higjienë adekuate; në supermarkete shitësit pa kurrfarë masash mbrojtëse, për klientët s’po flasim; shëtitje të panumërta individuale dhe të organizuara në Shqipëri e Mal të Zi dhe anasjelltas”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Sidoqoftë, i njëjti nuk reagoi për tubimin e Vetëvendosjes në shesh, ku morën pjesë rreth 1000 persona
Madje këta nuk u panë duke respektuar masat e vendosura kundër koronavirusit dhe nuk ishin të pajisuar me maska e dorëza.
Ky tubim u kritikua shumë në opinionin publik, në veçanti ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i cili doli të mbajë fjalim në këtë tubim dhe nuk u pa duke repsektuar masat, teksa nuk e tha asnjë fjalë rreth pandemisë.
Kujtojmë se në Kosovë ditëve të fundit është rritur dukshëm numri i rasteve me koronavirus, siç po vlerëson IKSHPK për shkak të mosrespektimit të masave.