Zëdhënësi i Osmanit: Presidentja nuk negocioi largimin e Radojçiqit dhe terroristëve

Prishtinë | 01 Qer 2024 | 21:31 | Nga Ekonomia Online

Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se e para e vendit do të bëjë padi ndaj Jetlir Zyberajt, këshilltarit të Kryetarit të Aleanca Kosova e Re (AKR), Bexhet Pacolli, derisa ka potencuar se ajo nuk ka bërë kurrfarë negocimi për largimin e terroristëve në Banjë të Zveçanit.

Këtë, Kupina e ka bërë përmes një postimi në Fcaebook, pasi që Zyberaj, të shtunën, duke komentuar takimin e Osmanit me djalin e Heroit Afrim Bunjaku në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, tha se presidentja dhe kryeministri Albin Kurti kanë negociuar për largimin e terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, me në krye kriminelin Milan Radojiçiç.

“Jetlir Zyberaj Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kanë kryer akt agresioni ndaj Republikës sonë dhe e kanë vra heroin Afrim Bunjaku”, tha fillimisht Kupina.

Këshilltari i Osmanit potencoi se “shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku”.

“Përtej qëllimit të ulët e propagandistik, një deklaratë e tillë përbën shpifje të rëndë dhe nxitje të urrejtjes për të cilën Presidentja do të ndërmarrë veprime sipas ligjit”, përfundoi ai.

Ndryshe, çështja e negocimit me terroristët serbë që udhëhiqeshin nga Milan Radojiçiç, ishte përmendur në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave të titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara”, i publikuar më 2 prill të këtij viti.

Aty theksohej se me grupin terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku, kishte negociuar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

I njëjti raport ishte cituar në draft-raportin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Por, pas kësaj dhe pas reagimeve të shumta në vend, KFOR doli me një komunikatë dhe e mohoi që të ketë negociuar me terroristët për largimin e tyre.

Reagimi i KFOR-it bëri që edhe ICG ta ndryshojë raportin, duke theksuar se gabimisht ishte cekur se KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit terrorist serb nga Banja.

Të ngjashme